image “Parada e Krenarisë” - kërkohet njohja e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë në Kosovë

Sociale

“Parada e Krenarisë” – kërkohet njohja e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë në Kosovë

news image

“Parada e Krenarisë” organizohet për herë të pestë në Kosovë, ndërkohë që aktivistja, Marigona Shabiu, tha se po tentojnë që ky komunitet të ketë të drejta të barabarta.

“Sot jemi mbledhur këtu për vitin e pestë me radhë për të përfunduar ‘Javën e Krenarisë’ dhe për të marshuar përgjatë shesheve të Prishtinës në mënyrë që të rrisim fizibilitetin e personave LGBTI në Kosovë dhe për të kërkuar të drejta të barabarta për këtë komunitet i cili është mjaft i diskriminuar dhe i shtypur në shoqëri”, tha ajo.

Më tej ajo ka shtuar se kërkesa kryesore do të jetë edhe njohja e martesave mes dy personave të gjinisë së njëjtë.

“Një prej kërkesave kryesore gjatë kësaj parade do të jetë edhe kërkesa për njohjen e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë, apo seksit të njëjtë. Kjo realisht është një e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, por ka një nismë ligjore të fundit, e cila po tenton që ta shkel këtë të drejtë. Prandaj, thirrja jonë kryesore e kësaj parade do të jetë që projekt-kodi civil aktual të përfshijë martesat e personave të seksit të njëjtë”, ka shtuar ajo për KP.

Pjesëmarrësit e paradës ishin edhe nga rajoni, por edhe nga disa shtete evropiane. Selena Martin e cila vjen nga Franca ka thënë për KP se mbështet komunitetin.

“Punoj për një organizatë ndërkombëtare, jam nga Franca, ne mbështesim organizimin e LGBTI-së, me projektin e financuar nga Agjencia Franceze e Zhvillimit dhe Bashkimi Evropian në Shqipëri dhe në Kosovë. Kështu që unë jam këtu për të mbështetur komunitetin, si anëtare e komunitetit gjithashtu”, ka theksuar ajo.

Në përkrahje të Paradës së Krenarisë janë parë edhe emra të ndryshëm të politikës si ambsadadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, deputetja Adriana Matoshi, Nol Nushi, Frashër Krasniqi, Visar Ymeri, Teuta Rrusta, e të tjerë. Ndërsa, aty nuk është parë kryeministri Albin Kurti, i cili ndodhet në Ohër, e as presidentja e vendit, Vjosa Osmani e kryeparlamentari, Glauk Konjufca./Gazeta Sinjali/