Më 7 prill Policia e Kosovës, në bazë të urdhëresës së Gjykatës, ka kontrolluar shtëpinë e një të personi nën dyshimin për posedim të substancave narkotike. Ditën e kontrollit i dyshuari nuk ka qenë në shtëpi, mirëpo i njëjti është arrestuar dje.
Një javë më parë, Policia hyri në shtëpinë dhe objektet tjera të një personi në rrugën “Betim Berisha” në Prizren, por i njëjti nuk ka qenë në shtëpi dhe deri dje nuk është hasur nga Policia.
Prizrenasi dje ka rënë në prangat e Policisë, pasi ditën e kontrollit në shtëpinë e tij u gjetën dhe sekuestruan 1.54 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, një gjysmë cigare e dyshuar si substancë narkotike të llojit marihuanë, një peshore elektrike, një grinder, një pako rizlla, tre rrole najloni për paketim të substancës narkotike, një telefon dhe 10 €.
Në raportin 24-orësh thuhet se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.