image Papunësia ngufat Kosovën

Sociale

Papunësia ngufat Kosovën

news image

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, Kosovën e gjen me shifër të lartë të të papunëve.

Papunësia nga 45 për qind sa ishte në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, deri në vitin 2020, ka arritur të shënojë ulje në afër 25 për qind.

Mbi 70 për qind e të papunëve në Kosovë, raportojnë se janë të papunë për më gjatë se 12 muaj.

Këto të dhëna janë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, si i vetmi mekanizëm për publikimin e të dhënave zyrtare në Kosovë.

Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej 4 për qind nuk ka arritur ta zbusë nivelin e papunësisë. Ky nivel i papunësisë ka bërë që Kosova të jetë shteti më i varfër në rajon, duke luftuar me nivele të larta të varfërisë, shkruan REL.

Në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, vlerësohet se 18 për qind e popullsisë jeton nën vijën e varfërisë, me 45 euro në muaj dhe 5.1 për qind e popullsisë nën vijën e varfërisë ekstreme, me nën 1.90 dollar amerikan në ditë.

Përballja me pandeminë, ndërkohë ka goditur edhe tregun e punës në Kosovë. Të dhëna zyrtare, se sa të punësuar janë larguar nga puna për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, nuk dihen.

Por, sipas shoqatave ekonomike në Kosovë, gjatë kohës së pandemisë, mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur vendin e tyre të punës dhe rreth 20 mijë biznese të sektorëve të ndryshëm, kanë falimentuar.

Banka Botërore, në raportin e saj të fundit, që e publikoi gjatë kësaj jave, tha se numri total i vendeve të punës të humbura në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti afërsisht në 70,000 në fund të vitit 2020.

/Gazeta Sinjali/