image Papa Françesku: Zoti i do të gjithë, edhe ata më të këqinjtë

Botë

Mesazhi/ Papa Françesku: Zoti i do të gjithë, edhe ata më të këqinjtë

news image

Papa Françesku ka mbajtur Meshën e Krishtlindjes, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Papa u shpreh se Zoti i do të gjithë, “madje edhe ata më të këqinjtë”.

“Mund të keni bërë gjëra të këqija, por Zoti vazhdon t’ju dashurojë”, tha Ati i Shenjtë përpara besimtarëve.

“Krishtlindja na kujton se Zoti vazhdon të na dashurojë të gjithëve, edhe ata më të këqinjtë mes nesh. Mua, juve, secilit prej nesh, ai sot na thotë: “Ju dua të gjithëve dhe do t’ju dua gjithmonë sepse jeni të çmuar në sytë e mi”. Zoti nuk ju do sepse ju mendoni se veproni drejtë. Ai ju do, kaq e thjeshtë. Dashuria e tij është e pakushtëzuar, nuk varet nga ju”, tha Papa Françesku në fjalën e tij.

Sipas BBC, kjo deklaratë mund të interpretohet nga disa si një referencë ndaj skandaleve të Kishës, përfshirë abuzimin seksual.

Papa Françesku do të kthehet në Bazilikën e Shën Pjetrit më vonë, në Ditën e Krishtlindjes, për t’i përcjellë botës mesazhin tradicional papal.

Në mesin e atyre që morën pjesë në meshë ishin fëmijë të zgjedhur nga vendet përfshirë Venezuelën, Irakun dhe Ugandën.