Papa Françesku të dielën u ka bërë thirrje amerikanëve të tregojnë “ndjenjën e tyre të përgjegjësisë”, gjithashtu mbështetjen për vlerat demokratike, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes kësaj thirrjeje, ai shprehu pikëllim për sulmet e dhunshme ndaj Kongresit që ndodhën të mërkurën.
“I nxis autoritetet shtetërore dhe të gjithë popullsinë të tregojnë një ndjenjë të lartë përgjegjësie në mënyrë që të qetësojnë zemërimin, të promovojnë pajtimin kombëtar dhe të mbrojnë vlerat demokratike të rrënjosura në shoqërinë amerikane”, tha Papa gjatë lutjeve të së dielës të transmetuar nga Vatikani.
Në mesin e pesë viktimave nga trazirat në Capitol, ishte edhe një oficer i policisë së Kongresit të SHBA-së që vdiq nga plagët e marra gjatë përleshjeve me një turmë të mbështetësve të presidentit, Donald Trump, të cilët hynë brenda ndërtesës, derisa po mbahej seanca e certifikimit të fitores së presidentit të zgjedhur, Joe Biden. /Gazeta Sinjali/