Pas dy vjetësh me infektime, viktima dhe kufizime, koronavirusi duket se ka marrë një formë të re. Varianti i ri Omicron është duke u përhapur më shpejt se çdo variant tjetër, por rezulton të jetë më pak i ashpër. Flitet se pandemia shpejt mund të njihet si endemi.
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka marrë vendim më 19 janar që maskat të mos jenë më të detyrueshme. COVID-certifikatat, që dëshmojnë vaksinimin e plotë kundër koronavirusit ose testimin negativ, nuk do të kërkohen më. Udhëzimet për të punuar nga shtëpitë, do të pushojnë po ashtu.
Johnson ka thënë se kufizimet hiqen, pasi shkencëtarët e Qeverisë së tij besojnë se infeksionet e shkaktuara nga varianti Omicron, kanë arritur tashmë kulmin. Në ditën kur ka shpallur vendimin, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar mbi 108 mijë raste të reja, por numri i viktimave është në rënie.
“Ne do t’i besojmë gjykimit të popullit britanik dhe nuk do t’i penalizojmë më ata që nuk vendosin maska”, ka thënë Johnson.
Edhe në Spanjë, kryeministri Pedro Sanchez ka thënë se numri i viktimave nga koronavirusi është në rënie dhe se qytetarët do të duhet të mësojnë të jetojnë me të, ashtu siç jetojnë me shumë viruse të tjera. Në Portugali, presidenti Marcelo Rebelo de Sousa ka deklaruar qysh në fjalimin e Vitit të Ri se vendi i tij “ka kaluar në fazën endemike”.
Ministri i Shëndetësisë i Francës, Oliver Veran, ka thënë se normat e larta të infeksionit në Francë dhe niveli i lartë i vaksinimit mund të nënkuptojnë se kjo do të jetë vala e fundit e pandemisë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka reaguar, duke thënë se është shumë herët për të parashikuar se kur do të përfundojë pandemia.
“Omicroni mund të jetë më pak i ashpër, por të thuhet se është sëmundje e lehtë, është mashtrim. Një gjë e tillë e dëmton trajtimin e përgjithshëm dhe kushton më shumë jetë”, ka thënë drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Drejt endemisë?
Varianti Omicron i koronavirusit është identifikuar për herë të parë në Afrikë të Jugut, në muajin nëntor. Që atëherë është përhapur në qindra vende të botës, duke u bërë dominues në disa. OBSH-ja e ka etiketuar si shqetësues dhe ka paralajmëruar se përhapet më shpejt. Kjo është konfirmuar edhe në terren.
Për shembull në Evropë, disa vende, përfshirë Gjermaninë, Francën, Çekinë, kanë raportuar javëve të fundit shifra rekorde të të infektuarve, të papara në ndonjë fazë tjetër të pandemisë. Por, në shumicën prej tyre, situata në spitale ka qenë më e qëndrueshme se gjatë valëve të mëparshme.
Norma mesatare e vaksinimit në rajonin e Bashkimit Evropian aktualisht është 69 për qind. Disa ekspertë të shëndetësisë besojnë se numri i lartë i të infektuarve, që krijojnë imunitet natyror, bashkë me numrin e të vaksinuarve do ta fusin pandeminë në një fazë të re, apo do ta shndërrojë atë në endemi.
Kalimi i një sëmundjeje infektive nga pandemia në endemi ndodh kur virusi gjendet rregullisht në një zonë të caktuar ose në mesin e njerëzve, por është më i menaxhueshëm për shkak të imunitetit më të madh të popullsisë. Ftohja e zakonshme dhe gripi janë shembuj të infeksioneve virale endemike, me të cilat njerëzit përballen më së shpeshti.
Bernard Camins, specialist i sëmundjeve infektive pranë institutit shëndetësor Mount Siani në Nju Jork, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se pandemia COVID-19 do të shndërrohet në endemi – ndoshta edhe brenda disa muajve – dhe se do të prekë vetëm grupe të caktuara njerëzish.
“Përfundimisht, nëse shumë njerëz do të kenë një lloj imuniteti, COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi] do të vazhdojë ta infektojë shoqërinë, por jo shumë njerëz do të shkojnë në spital, jo shumë njerëz do të përfundojnë në ventilatorë. Do të preken më shumë njerëzit me sistem të komprometuar imunutar, ose ata që nuk janë vaksinuar, ose nuk kanë qenë të infektuar më parë”.
“Por, në aspektin më të gjerë, unë shpresoj se nuk do të ketë nevojë për izolim nga COVID-i, sepse shumica e njerëzve nuk do të sëmuren dhe nuk do të përfundojnë në spital. Unë dua të jem optimist se kjo do të ndodhë në vjeshtë, por mund të jetë edhe viti 2023”, thotë Camins.
Jehonë kësaj teorie i bëjnë edhe specialistë të tjerë. Njëri nga virologët kryesorë belgë, Peter Piot, ka thënë për mediat belge se pandemia është duke hyrë në një fazë të re, falë normave të larta të vaksinimit dhe infeksionit natyror.
“Është e qartë se ne po kalojmë në një fazë të re. Virusi po ndryshon, po ndryshon gjatë gjithë kohës. Varianti Omicron është shumë më i transmetueshëm, shumë më ngjitës, por shkakton sëmundje më pak të rëndë”.
“Së dyti, falë vaksinimit, numri i viktimave ka rënë dhe në njësitë e kujdesit intensiv ka më pak njerëz. Kjo, kur kombinohet me infeksionin natyral, do të thotë se kemi imunitet kolektiv. Po ashtu, kemi më shumë përvojë në atë që duhet bërë për ta zvogëluar rrezikun”, ka thënë Piot.
Është fakt që bota ka më shumë mjete se më parë për të luftuar pandeminë, nisur nga testet e shpejta deri te kapacitetet për të prodhuar vaksina në masë. Kompania farmaceutike Moderna, madje, ka thënë se është duke punuar në kombinimin e vaksinës së COVID-it me atë të gripit stinor, në mënyrë që njerëzit të forcojnë imunitetin vazhdimisht, pa pasur nevojë të shpohen shpesh.
“Qëllimi është që të kemi një dozë të vetme vjetore dhe, kështu, nuk vijmë në situata kur njerëzit nuk pajtohen për marrjen e tri dozave në dimër”, ka thënë shefi i Modernës, Stephane Bancel.
“Ata do të marrin vetëm një dozë: përforcuese për koronën dhe përforcuese për gripin”, ka thënë ai.
Edhe pse numri i vaksinave të dhëna kundër koronavirusit po i afrohet 10-miliardëshit, pabarazitë mbeten. Sipas të dhënave të OBSH-së, mbi 85 për qind e popullsisë së Afrikës nuk ka marrë asnjë dozë të vetme, ndërsa 36 shtete anëtare të OBSH-së nuk kanë arritur as 10% të mbulimit me vaksina. Çështja është problematike – ndonëse në shkallë më të vogël – edhe në disa vende të zhvilluara. Gjermania, për shembull, ka mbi 3 milionë njerëz mbi moshën 60-vjeçare të pavaksinuar plotësisht, raporton REL.
Do të shohim variante të reja
Nisur nga kjo, doktor Bettie Steinberg, virologe në Institutin për Kërkime Mjekësore Feinstein në SHBA, thotë për Exposenë se bota do të shohë variante të reja të koronavirusit.
“Kjo nuk ka gjasa të ndodhë në javët e ardhshme. Por po, mendoj se do të vazhdojmë të shohim variante derisa shumica e botës të jetë imune ose të vaksinohet. Unë mendoj se përgjigje duhet të jenë vaksinat”, thotë Steinberg, e cila nuk beson se pandemia është shumë afër shndërrimit në endemi:
“Me COVID-in nuk jemi ende atje dhe nuk e di edhe sa kohë do të duhet për të arritur fazën e endemisë. Dikur do të ndodhë. Do të kemi një situatë, ku thjesht do të jetojmë me këtë virus, ku disa njerëz do të sëmuren, por shumica jo”.
E pyetur se çfarë ka ndodhur me pandemitë e koronaviruseve në të kaluarën, Steinberg shpjegon:
“Koronaviruset e tjera, në të kaluarën, janë bërë endemike dhe ato i shkaktojnë këto ftohjet që kemi sot. Janë dy koronaviruse që kanë qenë problematike kohëve të fundit: MERS dhe SARS. Asnjëri prej tyre nuk ka shkaktuar pandemi. Që të dy kanë shkaktuar sëmundje aq të rëndë, saqë janë zhdukur. Këto dy viruse nuk qarkullojnë më. Nuk shohim probleme me to, nuk janë endemike. Por, koronaviruset e tjera që tani shkaktojnë ftohje, kanë ndodhur qindra mijëra vjet më parë”.
Në pjesë të ndryshme të botës ka disa sëmundje që konsiderohen endemike, e që shkaktojnë vdekjen e qindra mijëra njerëzve në vit. Të tilla janë tuberkulozi, HIV/AIDS apo malaria.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ripërcaktimi i koronavirusit si sëmundje endemike është ende larg. “Kemi ende pasiguri të mëdha dhe një virus që po evoluon shpejt”, ka thënë Catherine Smallwood, eksperte e sëmundjeve infektive pranë OBSH-së.
OBSH-ja e ka shpallur pandeminë e këtij koronavirusi në mars të vitit 2020. Ka të ngjarë që pandemia të përfundojë kur ekspertët e OBSH-së të vlerësojnë se COVID-19 nuk kualifikohet më si emergjencë globale.
Kriteret për këtë vendim, megjithatë, nuk janë të përcaktuara saktësisht. Ka gjasa që disa vende ta marrin edhe vetë këtë vendim, varësisht mënyrës se si qarkullon virusi brenda kufijve të tyre./GazetaSinjali/