image Pamjet e dhunës policore ndaj personave duarlidhur të publikuara ekskluzivisht nga Sinjali

Ekskluzive

Pamjet e dhunës policore ndaj personave duarlidhur të publikuara ekskluzivisht nga Sinjali

news image

Gazeta Sinjali ka publikuar ekskluzivisht rastet e përdorimit të dhunës policore ndaj qytetarëve duarlidhur në Kosovë. Në të gjitha dëshmitë e publikuara në vazhdimësi nga Sinjali, fatkeqësisht shpërfaqet dhuna e ushtruar nga ata që duhet të jenë shembull i respektimit të ligjit dhe gardianë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Sinjali ju sjellë rastet për të cilat ka raportuar për trajtimin e poshtërimin e qytetarëve nga disa zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Tortura dhe poshtërimi ndaj qytetarëve nga rreshteri Sami Hoti dhe katër policë të tjerë

Pas dëshmive të publikuara më 25 qershor nga Gazeta Sinjali, sot u arrestuan dhe u dërguan në mbajtje rreshteri Sami Hoti dhe policët Valon Krasniqi, Frasher Kroni, Ardian Krasniqi e Albert Perzhaku.

materialet e publikuara më 25 qershor nga Sinjali pasqyrohet dhuna e ushtruar nga Hoti dhe kolegët e tij, derisa katër personat e prangosur transferoheshin me furgonin e Njësisë Speciale për në stacionin policor në Prizren. Hoti me kolegët e tij përveç që treguan muskujt ndaj qytetarëve duarlidhur, ata pareshtur i fyen e i poshtëruan, duke iu kërkuar edhe që të rriheshin “fer”.

Keqtrajtimi i 18-vjeçarit në stacion policor nga ish-polici Haris Kelmendi

Sinjali në janar të 2021-ës pati raportuar se Haris Kelmendi, ish-pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, tashmë i përjashtuar nga Policia është arrestuar për keqtrajtimin e një 18- vjeçari nga Haris Kelmendi në vitin 2018.

I riu u keqtrajtua nga Haris Kelmendi në stacionin policor nën prezencën e kolegëve të tij. Ajo çfarë e bën edhe më skandal këtë krim është se video-incizimi i keqtrajtimit ishte shpërndarë nga vetë Haris Kelmendi te dhjetëra zyrtarë policorë, në mesin e tyre një rreshter dhe një toger, mirëpo asnjëri nga këta, asnjëherë, nuk kishte reaguar e as denoncuar krimin e kolegëve të tij, derisa Sinjali publikoi pamjet.

Skena dhune në qendër të Prishtinës, keqtrajtimi i dy qytetarëve nga zyrtarët policorë

Rasti tjetër janë pamjet skandaloze të dhunës në qendër të Prishtinës nga zyrtarët policorë ndaj dy qytetarëve. Fatkeqësisht edhe në këtë rast është shpërfaqur e policëve ndaj qytetarëve, ku njëri prej tyre, më pas, ka rrëfyer për Sinjalin se si u dërgua në stacion policor dhe u ndalua për 48 orë, edhe pse nuk kreu asnjë veprim për të justifikuar keqtrajtimin nga Policia.

Si u keqtrajtua dhe iu thyen 3 brinjë qytetarit në Gjakovë

Më 4 shkurt të këtij viti, Gazeta Sinjali raportoi se një qytetar në Gjakovë ka përfunduar në spital me tre brinjë të thyer për shkak se ndaj tij është përdorur dhunë nga policia, me arsyetimin se nuk i është bindur urdhrit për t’u ndalur, pasi që nuk kishte respektuar rregullat e komunikacionit.

Shtatë zyrtarë policorë u suspenduan nga puna, për shkak të dyshimit se janë të përfshirë në këtë rast.

Si shpëtuan mrekullisht qytetarët nga shkrepja e 3 plumbave nga polici në Gjakovë

Në shtator të vitit 2020, qytetarët kanë shpëtuar mrekullisht, kur zyrtari policor A.L., shkrepi së paku tre plumba ndaj një motoçiklisti, i cili tentoi të ikte përkundër përpjekjeve të policisë për ta ndaluar atë.

Përdorimi i armës, zyrtarit të PK-së A.L., i kushtoi me hapjen e rastit “përdorimi i armës në mënyrë të rrezikshme”, pasi që dyshohet se me shkrepjen e plumbave rrezikoi qytetarët përreth, të cilët fatmirësisht përfunduan në murin e një banese private. 

Rasti tjetër i torturës dhe trajtimit çnjerëzor ndaj qytetarit të prangosur në Stacionin Policor në Gjakovë

Gazeta Sinjali në tetor të 2019-ës, publikoi videon ekskluzive të torturës së ushtruar nga ish- komandanti, Kristë Gjokaj dhe pesë vartësit e tij të dyshuar për përfshirje në këtë rast, kapiteni Bekim Preqi, rreshteri Gëzim Biblekaj si dhe Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj. Në materialin e siguruar nga Policia e Kosovës, shihet dhuna e shfrenuar brenda stacionit policor të Gjakovës.

Gazeta Sinjali do të vazhdojë të hulumtojë dhe publikojë çdo rast që lidhet me trajtimin e qytetarëve nga zyrtarët policorë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/