image Pamje ekskluzive nga momenti i prangosjes së pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë, të dyshuar për haraç

Kosovë

Ekskluzive/ Pamje ekskluzive nga momenti i prangosjes së pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë, të dyshuar për haraç

news image

Gazeta Sinjali ka siguruar nga vendi i ngjarjes pamje ekskluzive të momentit të arrestimit të pjesëtarit të Njësisë Speciale Operative të Policisë, Ajet Keqolli dhe qytetarit Naser Shillova të dyshuar për veprën penale të detyrimit, e njohur për publikun si haraç.

Siç shihet nga pamjet, dy të arrestuarit janë zënë në flagrancë nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës si rezultat i zbatimit të masave te fshehta të hetimit bazuar në urdhëresën e Prokurorisë.

Zyrtari policor dhe qytetari u kapën në një restorant në lagjen “Veterniku”, që gjendet në kilometrin e tretë të magjistrales Prishtinë – Shkup, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas videos ekskluzive të siguruar nga Gazeta Sinjali, asnjëri nga të dyshuarit nuk i ka rezistuar arrestimit. Ata janë dorëzuar në momentin e parë kur ndaj tyre është dhënë urdhri nga pjesëtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës.  

Siç shihet në video, në momentin e arrestimit, dy të dyshuarit ishin të ulur në një tavolinë në tarracën e këtij restoranti, kur papritur në skenë dalin hetuesit e Departamentit të Hetimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës, të cilët i drejtojnë armët në drejtim të të dyshuarve me qëllim që ta vejnë situatën nën kontroll.

Me këtë rast, zyrtari policor dhe qytetari shihen duke i ngritur duart lartë dhe më pas u vihen prangat.

Kujtojmë se sot, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit të arrestuarve në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Siç ka raportuar Gazeta Sinjali mbështetur në burimet brenda Prokurorisë Themelore të Prishtinës, polici Ajet Keqolli dhe qytetari N. SH dyshohet se kishin kërkuar rreth 35 mijë euro haraç nga viktima R. A (emër i njohur për redaksinë) me qëllim që t`ia mundësonin atij ta shfrytëzonte banesën që e kishte blerë nga një suharekas, por që nuk kishte arritur ta posedonte asnjëherë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/