Gazeta Sinjali sot raportoi për arrestimin e Besart Gashit, zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Malishevë, nën dyshimin se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtare.
Sinjali po ashtu ka siguruar videon nga momenti i arrestimit të tij nga zyrtarët policorë.
Hetimet ndaj tij nisën më 11 janar të këtij viti, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”, për shkak se kishte bërë një vërejtje për xhama të errësuar të një veturë, që në fakt nuk i kishte.
Mirëpo, gjatë kontrollit të lëndëve të punuara nga ai për periudhën kohor 2018-2020, Sinjali mëson se hetuesit policorë kishin hasur në shumë shkelje të ndryshme në lëndët e punuara nga Besart Gashi.
Shkelje më të shpeshta Gashi dyshohet se ka bërë me pagesat e taksave komunale. Ai dyshohet se ka bërë regjistrimin e automjeteve pa taksa komunale dhe se në ato lëndë kishte vendosur taksa të palëve të tjera.
Mirëpo, këto nuk janë shkeljet e vetme që ky zyrtar dyshohet t’i ketë kryer.
Këto burime po ashtu thonë se Gashi ka kryer regjistrimin e automjeteve pa certifikatë për kontrolle teknike dhe pa dokumentacionin përkatës që kërkohet në bazë të ligjit.
Kështu, Besart Gashi dyshohet se duke bërë regjistrime të automjeteve pa pagesa të taksave komunale, ka përfituar për vete shuma të konsiderueshme të parave, në mënyrë të kundërligjshme, duke e dëmtuar buxhetin e Kuvendit Komunal të Malishevës.
Andaj, po dyshohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sinjali mëson se me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/