Gjatë ditës së djeshme, ndodhi një përleshje mes nxënësve në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Trepça’ në Banjë të Pejës në komunën e Istogut, ku një nxënës u rrah dhe u sulmua me gurë nga shoku i tij i klasës.
Nxënësi i klasës së pestë mori trajtim mjekësor, teksa rasti u denoncua edhe në Polici, raporton Gazeta Sinjali.
Por nuk mbaron me kaq, pasi që Policia ka inciuar rast ndaj nënës së nxënësit që u sulmua.
Ajo dyshohet se pas ndodhisë së rastit, ka marrë ‘hak’ duke sulmuar nxënësin që sulmoi me gurë djalin e saj.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se nëna e viktimës dyshohet që e ka sulmuar fizikisht nxënësin dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, e dyshuara është liruar dhe rasti është inicuar si “sulm”.
Gazeta Sinjali ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë se çfarë ndodhi në hollin e shkollës ‘Trepça’.
Në pamje shihet nëna e djalit 10-vjeçar, teksa i afrohet nxënësit që sulmoi me gurë fëmijën e saj dhe e godet me dy duart , ndërsa stafi i shkollës përpiqen ta largojnë.
Drejtori i shkollës, Nexhmedin Beqiraj, ka mohuar që ngjarja të ketë ndodhur brenda hapësirave të shkollës ‘Trepça”, për çka ata nuk marrin përgjegjësi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.