Autoriteti Palestinez të premten e anuloi marrëveshjen për të marrë vaksina për Covid-19 nga Izraeli, të cilave u skadon afati së shpejti, pasi në dërgesën e parë shihej se data e skadimit të afatit të tyre ishte më e hershme sesa ajo për të cilën ishin marrë vesh palët, tha Ministria e Shëndetësisë.
Izraeli dhe Autoriteti Palestinez arritën marrëveshje më herët të premten me të cilën Izraeli do t’ia dhuronte palës tjetër deri në 1.4 milion doza të kompanisë “Pfizer” me kusht që i njëjti numër t’i kthehej më vonë këtë vit.
“Ata na thanë se data e skadimit të afatit është në korrik ose në gusht, që do të lejonte shumë kohë për përdorim, por ajo doli të jetë në qershor. Kjo s’është kjo e mjaftueshme për t’i përdorur ato, prandaj i refuzuam”, tha ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai Al-Kaila.
Një zëdhënës i Autoritetit Palestinez tha se dërgesa fillestare me rreth 90.000 doza u anulua për shkak të datës dhe u kthye prapa në Izrael, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Zyra e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment në lidhje me këtë çështje.
Grupet për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar Izraelin, që ka një ndër fushatat më të shpejta të vaksinimit kundër koronavirusit në botë, se nuk ka bërë më shumë për t’ua siguruar edhe palestinezëve qasjen në vaksina. /Gazeta Sinjali/