Pakistani do të heqë kufizimet për grumbullimet masive në xhami gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, njoftoi sot presidenti i vendit, Arif Alvi.
Faljet do të mbahen normalisht, por masat disiplinore do të jenë të rrepta për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Muaji i shenjtë i Ramazanit do të nisë me perëndimin e diellit më 23 prill.
Vendimi është marrë pas konsultimeve që presidenti ka pasur me ekspertët vendas dhe drejtuesit fetarë. Besimtarët janë të detyruar të mbajnë maska, ndërsa policia do të jetë prezentë për të siguruar distancimin shoqëror.
Deri këtë të diel, në Pakistan janë konfirmuar 7993 persona të prekur nga Covid-19, nga të cilët 159 persona kanë ndërruar jetë.