Jo rrallëherë ndodhin raste të sulmit ndaj zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Kosovë, të cilët pengohen dhe nuk lejohen të ushtrojnë detyrën zyrtare. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Klinikën e Psikiatrisë Forenzike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Bëhet fjalë për një zyrtar të Shërbimit Korrektues, i cili u sulmua nga një pacient.
Rasti ka ndodhur dje, në orët e mesditës, kur një pacient i kësaj klinike sulmoi zyrtarin e SHKK-së, pasi ky i fundit i ofroi ndihmë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është denoncuar menjëherë në Polici, me ç’rast një patrullë ka dalë në vendin e ngjarjes, për të marrë deklaratë nga viktima, se si u përball me pacientin brenda hapësirave të Klinikës së Psikiatrisë.
Posa njësia policore ka arritur në QKUK, për t’iu përgjigjur rastit, zyrtari i SHKK-së, ka dhënë versionin e tij, se si u sulmua me grushte në fytyrë nga pacienti i dyshuar. Sipas deklaratës së viktimës, pacienti fillimisht i kishte kërkuar atij ndihmë dhe pasi zyrtari deshi t’i ndihmojë, ai iu kthye me sulm, duke i shkaktuar lëndime, për çka ka pranuar tretman mjekësor.
Pas marrjes së informatave të para, prokurori ka dhënë urdhër që të iniciohet rasti ndaj të dyshuarit si “sulm ndaj personit zyrtar”.