Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas publikimit të një fotografie ku shihet ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, dhe në të cilën në prapavijë shihet Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës e vendosur në dysheme, pas divanit.
Në reagimin e saj në Facebook, OVL-UÇK e ka cilësuar fotografinë si “rrëfim politik”, duke thënë se dokumenti i shtetësisë së Kosovës është përdhosur.
Në reagim përmendet edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe Lëvizja Vetëvendosje, për të cilët OVL e UÇK-së thotë se kanë normalizuar armiqësinë ndaj themeleve të Republikës.
Organizata ka kërkuar po ashtu që Prokuroria e Shtetit të nisë hetime lidhur me rastin, ndërsa ka kërkuar sqarime nga Basha për mënyrën e trajtimit të dokumenteve me vlerë shtetërore.
Postimi i plotë:
Fotografia nga zyra e Dimal Bashës është rrëfim politik. Deklarata e Pavarësisë, e vulosur me sakrificë, gjak, burgime, mërgim dhe luftë, përdhoset nga ministri i Qeverisë Kurti.
Basha nuk ka bërë thjesht një gabim protokollar. Ka shpërfaqur një vazhdimësi. Një njeri që dikur u vinte firmën shkrimeve që shpifnin kundër UÇK-së duke e quajtur kriminale, nuk mund të fshihet sot pas pakujdesisë kur simboli i shtetësisë së Kosovës nëpërkëmbet nën autoritetin e tij. I njëjti përçmim, veçse i inskenuar brenda institucioneve që ekzistojnë falë atyre që ai ka fyer.
Albin Kurti dhe LVV-ja nuk mund t’i lajnë duart nga kjo. Lartësuan figura të tilla dhe normalizuan armiqësinë ndaj themeleve të Republikës, duke e kthyer pushtetin institucional në strehë për ata që nuk u pajtuan kurrë me pavarësinë e Kosovës. Arroganca e tyre ndaj Luftës Çlirimtare është kthyer në arrogancë ndaj vetë shtetit.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke e dënuar këtë akt të poshtër, i kujton Qeverisë se pavarësia e Kosovës nuk është dekor. UÇK-ja nuk është material shpifjesh për oportunistët politikë që ndërtuan karrierë mbi varret e atyre që vetë i dënuan. Prokuroria e Shtetit duhet të nis hetimet. Basha duhet të sqarojë se në llogari të kujt i përdhos dokumentet me vlerë të posaçme shtetërore, e Kurti duhet të përgjigjet për kulturën antishtetërore që ka instaluar qëllimisht në qeveri
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!