Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin gjerman, Joern Rohd, shkruan Gazeta Sinjali.
Osmani sot ka uruar ambasadorin dhe popullin gjerman në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.
Ajo u shpreh se 30 vjetori i bashkimit të të dy Gjermanive përbën frymëzim dhe model për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave demokratike.
“Teksa sot gjermanët kremtojnë, ndonëse me sheshe më pak të mbushura, shkaku i pandemisë, ne bashkohemi me ta për të festuar këtë 30 vjetor dhe për të rikonfirmuar përkushtimin për vazhdimësinë e miqësisë dhe lidhjes së fortë mes popullit të Kosovës dhe popullit të Gjermanisë”, ka thënë Osmani.
Sipas kryetares së Kuvendit, 30 vjet më parë, Gjermania ishte prijëse në zhvillimin politik e ekonomik sepse populli gjerman tregoi guxim dhe vendosmëri për të përqafuar vlerat më sublime të demokracisë.
Gjithashtu, Vjosa Osmani i është drejtuar me një telegram dhe kryetarit të Bundestagut, Wolfgang Schäuble, në rastin e kësaj dite./Gazeta Sinjali/