Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar në Slloveni, atje ku po mbahet Samiti Brdo-Brijuni, raporton Gazeta Sinjali.
Ciklin e takimeve me disa nga presidentët e rajonit, Osmani e ka përmbyllur me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Presidentes ka njoftuar se në këtë takim është vlerësuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve fqinje janë të mira, ndërkohë që të dy presidentët kanë deklaruar se janë të angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre, sidomos në sferën e shkëmbimit tregtar e ekonomik, arsimit, kulturës e turizmit.
Po ashtu, në këtë takim është bërë e ditur se shumë shpejt do të mbahet mbledhja e qeverive të dy vendeve.
“Në këtë takim është bërë e ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror, së shpejti do të mbahet një takim i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesë.
Po ashtu, njoftohet se Pendarovski i ka thënë Osmanit se shteti i tij do ta rrisë prezencën në kuadër të trupave të KFOR-it, teksa i ka dhënë mbështetje liberalizimit të vizave, rrugës evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimit në NATO.
Presidentja Osmani dhe presidenti Pendarovski kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve në rajon, duke theksuar se rajonit i nevojitet stabilitet./Gazeta Sinjali/