image Osmani takohet me kryeministrin e Bullgarisë, premton mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Politikë

Osmani takohet me kryeministrin e Bullgarisë, premton mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës

news image

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të vizitës në Bullgari është pritur në takim nga kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Galab Donev.

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidencës, në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, mundësitë për thellimin e tyre dhe situatën aktuale në Kosovë, rajon e më gjerë.

Osmani ka theksuar se Kosova pret mbështetjen bullgare në rrugën euroatlantike të saj, duke potencuar se në këtë aspekt mund të përfitojë nga përvoja e këtij shteti.

“Të dy bashkëbiseduesit janë ndalë te çështja e sigurisë energjetike, derisa edhe kryeministri në detyrë Donev, sikurse presidenti Radev ka shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën me furnizim me energji elektrike. Palët konfirmuan se për këtë çështje do të ketë takim ndërshtetëror të ministrive të linjës përkatëse.

Në takim me kryeministrin në detyrë, Donev, Presidentja ka marrë mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare, teksa i ka bërë të ditur atij se Kosova synon që brenda këtij vitit të aplikojë edhe për anëtarësim në BE”.

Osmani e ka cilësuar Bullgarinë një partner të rëndësishëm në këtë aspekt, ndaj ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes për Kosovës në procesin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Kurse në raport me zhvillimet e fundit në vend, presidentja ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. 

Sipas presidentes Osmani dialogu me Serbinë duhet të jetë i fokusuar me njohje të ndërsjellë në qendër, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës.

/GazetaSinjali/