image Osmani takohet me kryediplomatin italian: Përpjekje intensive për zgjidhje të pranueshme për targat brenda afatit 48 orësh

Politikë

Osmani takohet me kryediplomatin italian: Përpjekje intensive për zgjidhje të pranueshme për targat brenda afatit 48 orësh

news image

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Antonio Tajani, ministër i Jashtëm i Italisë dhe ministrin e mbrojtjes, Guido Crosetto, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në raport me dialogun me Serbinë.

Në njoftimin nga Zyra e Presidencës, thuhet se Kosova e konsideron Italinë si një partnere, me të cilën synon thellimin e marrëdhënieve bilaterale në shumë fusha.

“Presidentja Osmani, ka mirëpritur idenë e palës italiane për organizimin e një forumi të përbashkët ekonomik ndërmjet bizneseve të dy shteteve”.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave në drejtësi dhe zbatimin e sundimit të rendit e ligjit. Ajo ka theksuar se Kosova është një vend me potencial të madh të të rinjve të kualifikuar dhe se ofron mjedis të përshtatshëm për investime të huaja.

Nga zv.kryeministri italian Tajani, presidentja Osmani ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave, sikurse edhe për anëtarësimin ne Këshillin e Evropës. Presidentja Osmani ka vlerësuar kontributin e Italisë në kuadër të KFOR-it dhe ka theksuar nevojën për shtimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.

“Osmani, pas zhvillimeve të fundit në veri ka theksuar se institucionet e Kosovës janë në koordinim me aleatët dhe po bëjnë përpjekje intensive për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e targave brenda afatit 48-orësh”.

Sipas Presidentes, Serbia po përpiqet që nëpërmjet strukturave ilegale në veri të vendit ta destabilizojë Kosovën.

“Osmani ka shprehur përkushtimin e Kosovës për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. Në këtë kontekst, ka potencuar se për sukses të procesit të dialogut, nevojitet trajtim i barabartë i palëve të përfshira”.

Më tej, presidentja nënvizoi se rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke. Në këtë frymë, Presidentja Osmani theksoi se procesi i dialogut nuk duhet lejuar të përdoret si instrument i Serbisë për ta minuar rrugën euroatlantike të Kosovës. 

/GazetaSinjali/