image Osmani takohet me Abazoviqin, diskutojnë për marrëveshjen e Ohrit

Politikë

Osmani takohet me Abazoviqin, diskutojnë për marrëveshjen e Ohrit

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy kanë shprehur gatishmërinë për thellimin e tyre ku dhe është përshëndetur marrëveshja për shërbime ajrore.

Sipas Presidentes Osmani, Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq.

Temë e takimit kanë qenë edhe  zhvillimet e fundit në vend dhe rajon dhe dialogun me Serbinë, ku Osman ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

Ndër të tjera, në takim, nga të dy palët është thënë se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.

Në takimin Osmani-Abazoviq është folur edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

/GazetaSinjali/