Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që procesi i dialogut të mos bjerë në kurthin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pasi sipas saj, Serbia vetëm javën e fundi ka bërë tetë shkelje.
Në intervistën e dhënë të mërkurën, në “Atlantic Council” në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani ku ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në dialogun Prishtinë-Beograd, rrugën euroatlantike të Kosovës dhe vizionin e saj për të ardhmen e Kosovës.
Ajo e ka cilësuar tejet të rrezikshme qasjen që në dialog të normalizohet Vuçiqi, ashtu që të duket si lider proevropian.
Duke folur për dialogun, Osmani ka thënë se fillimisht duhet të dihet se me kë ka punë Kosova.
“Së pari, përderisa dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është tej mase i rëndësishëm, me synimin për njohje reciproke, nocioni normalizim raportesh po përdoret nga BE-ja për shkak të statusit neutral. Synimi është normalizimi, e procesi s’duhet të shfrytëzohet për ta normalizuar Vuçiqin që të duket si lider proevropiane, e që s’është. Le ta themi të vërtetën. Po përballemi me një autokrat”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, Serbia është shtet që nuk ka kërkuar kurrë falje për gjenocidin e se ngel e vetmja palë që duhet t’i bëhet thirrje për angazhim në dialog.
“Janë gati 40 marrëveshje të arritura, e lista e shkeljeve të Serbisë është shumë, shumë e gjatë. Vetëm në javën e shkuar, kanë bërë tetë shkelje të marrëveshjeve të fundit”, tha Osmani.
Ajo ka thënë se janë ekstremisht të rrezikshme përpjekjet që nga marrëveshjet e fundit fokusi të jetë tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe, mbi çështjet tjera.
“Nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit, që është që të shtyhet dhe zvarritet dialogu”, ka thënë Osmani.
Osmani ndër të tjera ka thënë se Kosova ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar për anëtarësim në strukturat e NATO-s në rast se arrin marrëveshje me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh.
“Në kuadër të dialogut me Serbinë, Kosova mori garanci nga partnerët se nëse do të pranonim marrëveshjet e dialogut në Bruksel dhe Ohër, një nga çështjet për të cilat do të marrim një mbështetje të madhe do të ishte veçanërisht anëtarësimi në programin e Partneritetit për Paqe më vonë NATO, që është mjaft shtytje pozitive”, ka shtuar ajo.