Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur rreth deklaratës së sotme të presidentit francez, Emanuel Macron në Tiranë, për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ajo ka thënë se tashmë kjo gjë u qartësua dhe se ishte një dallim në përkthim, temë për të cilën u njoftuan edhe drejtpërdrejtë nga institucionet franceze.
“Është sqaruar tashmë. Drejtpërdrejtë na kanë njoftuar institucionet franceze, por edhe nga deklaratat e shumta, se ka qenë një lloj dallimi në përkthim”, u shpreh Osmani.
Osmani gjithashtu shtoi se një proces i tillë nuk mund të pezullohet nga një shtet.
“Ky proces nuk është pezulluar dhe ligjërisht s’mund të pezullohet nga një shtet. Jam e bindur se çfarëdo lloj qartësimi që kërkon presidenti Macron e institucionet franceze mund t’u japim ndërkohë dhe të heqim ndonjë lloj hezitimi që ata mund ta kenë. Por, procesi vazhdon e ky vendim hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024”, ka deklaruar Osmani për emisionin “Tempus” në KTV.