image Osmani: Rimëkëmbja ekonomike e plotë vetëm kur të përkrahen prodhuesit vendorë

Prodhime Vendore

Osmani: Rimëkëmbja ekonomike e plotë vetëm kur të përkrahen prodhuesit vendorë

news image

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot përfaqësuesit e prodhuesve dhe ofruesve të shërbimeve vendore, që ka biseduar mbi sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar bizneset kosovare.

Osmani tha se rimëkëmbja ekonomike është e plotë vetëm atëherë kur identifikohen instrumentet e duhura për të mbështetur prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve vendore.

“Kur aktiviteti i tyre është stabil, po aq stabile është edhe ekonomia, ngaqë kjo përkthehet në vende të reja të punës, në vende të ruajtura të punës si dhe në zgjerim të aktivitetit biznesor që rezulton në eksport drejt vendeve të rajonit dhe BE-së”, tha ajo.

Nga ana e prodhuesve dhe ofruesve të shërbimeve vendore u përmend fakti se pandemia i ka dëmtuar rëndë bizneset kosovare me humbje financiare dhe në fuqi punëtore, andaj ndihma ndaj bizneseve u tha se duhet të jetë e menjëhershme dhe prioritet në kuadër të pakos së rimëkëmbjes ekonomike.

Ndryshe, ditëve në vazhdim, përfaqësuesit e prodhuesve dhe ofruesve të shërbimeve vendore do të takohen edhe me grupet parlamentare për t`i prezantuar kërkesat e tyre. /Gazeta Sinjali/