Në 22 vjetorin e zhdukjes, veprimtarin dhe atdhetarin, Ukshin Hotin, e kanë kujtuar udhëheqësit shtetërorë dhe figura të larta publike, raporton Gazeta Sinjali.
Në mesin e tyre është edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se fati i Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, ndaj edhe përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të tij tha se nuk duhet të pushojë asnjë ditë.
Osmani tha se Ukshin Hoti i duhet Republikës së tij, e cila është bërë.
“Me një vepër të bukur politike mund të shpëtohet një popull, thoshte Ukshin Hoti. Ai e nisi idenë e “veprës së bukur politike”, për lirinë, republikën dhe demokracinë, porse synimi i mendimtarit politik e filozofik mbeti në gjysmë. Republika e tij është bërë. Dy dekada në kërkim të tij, Republikës i duhet Ukshin Hoti”, shkroi ndër të tjera Osmani në Facebook.
E para e shtetit theksoi se çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të cilët u zhdukën dhunshëm nga regjimi serb, është prioritet i yni dhe parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon.