Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë dy data për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore. Ajo thotë se zgjedhjet duhet të mbahen dhe ky vendim nuk mund të ndryshohet.
Data 18 dhjetor është më e mundshmja për t’u mbajtur zgjedhjet në katër komunat e Veriut, ku janë dorëhequr kryetarët e tyre, që vinin nga Lista Serbe.
Presidentja Osmani, pas konsultimit me partitë politike, u është drejtuar në veçanti qytetarëve serbë, duke u thënë se mbajtja e zgjedhjeve atje është e obliguar, pas largimit të kryetarëve dhe kjo nuk është “çështje dëshire”.
“Dua t’i sigurojë të gjithë qytetarët serbë të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues, që ka lindur nga akti i dorëheqjes së kryetarëve të komunave. Assesi nuk është çështje dëshire. Assesi nuk është vendim që mund të ndryshohet, sepse nuk ka rrugë tjetër. Janë shqyrtuar të gjitha mundësitë”, ka thënë Presidentja Osmani.
Osmani ka thënë se zgjedhjet shpallen më së largu nesër, ndërsa 18 dhjetori është data e fundit kur ato mund të organizohet, sipas afatit që jepet me ligj.