Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën Amerikane, Nicholas Giacobbe, ku diskutuan për ftesën e pranuar nga Presidenti Biden për Samitin për Demokraci dhe hapat përgatitor për pjesëmarrje në Samitin e datës 9-10 dhjetor.
Presidentja do të jetë në krye të delegacionit të Kosovës në këtë Samit, i cili do të mbahet virtualisht.
Presidentja Osmani në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane do të hartojë planin për prezantim në Samitin për Demokraci, i cili do të mbulojë tri fusha: fuqizimi i demokracisë, luftimi i autoritarizmit, lufta kundër korrupsionit si dhe promovimi i respektimit të të drejtave të njeriut.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që Kosova paraqet shembull të mirë të një demokracie në zhvillim dhe se bashkëpunimi me SHBA-në paraqet orientim strategjik të Kosovës.
Osmani ka falenderuar SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në partneritetin me shtetin amerikan për t’i realizuar objektivat e saj. /Gazeta Sinjali/