Kryeparlamentarja Vjosa Osmani është përplasur sërish me bashkëpartiakun dhe zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj. Kësaj radhe shkak kanë qenë disa nisma për miratimin e një ligji për pandeminë në Kuvend.
Sipas Selmanajt, Kuvendi mund të inicojë ligj dhe ta dërgojë atë në qeveri për opinion, ndërsa Osmani tha se ishte Selamanaj ai që e bllokoi procesimin e nismave para se të bëhej Qeveria Hoti, shkruan Gazeta Sinjali.
“Nuk kemi mendu që për opozitën dhe për qeverinë janë dy popuj… Zonja kryetare, me kushtetutë keni të drejtë ose të kërkoni nga qeveria draftimin e një ligji, ose draftojeni vetë dhe silleni në qeveri për mendim”, tha Selmanaj.
Osmani u përgjigj duke thënë se nuk po u beson veshëve që këto fjalë po i dëgjon nga zëvendëskryeministri Selmanaj.
“Unë sinqerisht nuk po ju besoj veshëve se çka dëgjova. Domethënë tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës.. zëvendëskryeministri thotë sillni nëse dëshironi ju me i inicu, sillni për opinion në qeveri. Z. zëvendëskryeministër, ka kohë që i kemi sjellë në qeveri për opinion. Ka kohë që ky Kuvend i ka inicu tri nisma legjislative”, u shpreh ajo.
“Prej 25 marsit deri më 3 qershor i keni blloku ju që po thoni është i njëjti popull. Po pra, i njëjti popull është”, tha Osmani.
Ajo kërkoi që të mos bllokohet procesimi i këtij ligji.
“Mos e bllokoni më si qeveri, sepse është ligj kundër pandemisë, s’është ligj kundër teje”, tha ajo. /Gazeta Sinjali