image Osmani përkujton masakrën e Izbicës: Drejtësi për Dafinën 6-muajshe

Sociale

Osmani përkujton masakrën e Izbicës: Drejtësi për Dafinën 6-muajshe

news image

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën e Izbicës, ku forcat serbe 22 vjet më parë vranë dhe masakruan 147 civilë shqiptarë, shkruan Gazeta Sinjali.

Në mesin e 147 të vrarëve ishte edhe Dafina 6-muajshe, eshtrat e të cilës u gjetën në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi, më 2017, për t’u rivarrosur në Izbicë.

Osmani ka kërkuar drejtësi për të, duke thënë se historia e saj është histori e mbi njëmijë fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Historia e Dafinës nuk është vetëm e saj. Është edhe e mbi njëmijë fëmijëve të vrarë në luftën e Kosovës, nga të cilët 109 ende rezultojnë të zhdukur. Kjo histori është dhimbja jonë”, ka shkruar ajo ndër të tjera në Facebook.

Osmani ka thënë se 28 marsi është rikujtim për adresim të përgjegjësisë së kryerësve, është thirrje për drejtësi, është kujtesë historike dhe personifikim i mbijetesës.

“Në dekadën e dytë që prej se jemi të lirë, duhet të reflektojmë për rrugën që kemi kaluar, sepse Masakra e Izbicës është dëshmia para së cilës duhet të përkulemi të gjithë dhe para së cilës duhet marrim forcën për të thënë dhe kërkuar të drejtësinë. E mbi të gjitha drejtësi për Dafinën! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët në Masakrën e Izbicës“, ka përfunduar ajo./Gazeta Sinjali/