Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me homologun nga Malta, George Vella, e ka falënderuar ata për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij ndaj Kosovës.
“Kjo vizitë është edhe njëherë dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme dypalëshe mes shteteve tona, ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti i Maltës që nuk ka munguar asnjëherë në të gjitha fazat e shtet ndërtimit të Kosovës”, tha Osmani.
Ajo foli edhe për liberalizimin e vizave, duke thënë se duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës.
“Kanë kaluar më shumë se katër vite që kur Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave, duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës nga ku proces. Prandaj, shpresojmë që vendimi të merret më së largu deri në dhjetor, përgjatë presidencës çeke dhe që pastaj vendimi për liberalizimin e vizave të hyjë në fuqi sipas praktikave të deri tanishme, duke mos përcaktuar kritere të reja teknike, të cilat vetëm sa do ta vazhdonin padrejtësinë e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.
“Siç e dini Kosova do të dorëzojë aplikacionin e saj për anëtarësim në BE, përderisa jemi të vetëdijshëm që ky është një proces që zgjatë, ky do të ishte një hap i parë ku BE-ja do ta rikonfirmonte që orientimi ynë euroatlantik janë jo vetëm në të mirë të qytetarëve tanë, por janë interes gjeo-strategjik i vet BE-së, sepse një Evropë e bashkuar e unifikuar në paqe është e pamundur pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në të”, u shpreh tutje ajo.