image Osmani për Masakrën e Krushës: Mbetet ende plagë e hapur për një pjesë të familjarëve të tyre

Kosovë

Osmani për Masakrën e Krushës: Mbetet ende plagë e hapur për një pjesë të familjarëve të tyre

news image

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 22-vjetorin e Masakrës së Krushës në Rahovec nga forcat serbe, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas saj, Masakra e Krushës e cila përveç se është dëshmi autentike e regjimit gjenocidal të Serbisë, mbetet ende plagë e hapur për një pjesë të familjarëve të këtij fshati.

 “Janë shumë të pagjetur, fati i të cilëve ende mbetet peng, brengë dhe ankth jo vetëm për familjarët, por edhe për shtetin e Kosovës. Në një aksion dyditor, regjimi serb manifestoi egërsi të paparë, duke ndarë burra e djem nga gratë e nënat e tyre dhe duke ekzekutuar 243 persona”, shkroi ajo ndër të tjera në Facebook.

Osmani u shpreh se si institucione shtetërore nuk do të zbrapsen në përpjekjen për të kërkuar drejtësi, duke shtuar se do t’iu qëndrojnë afër gjithmonë familjeve të tyre.

Postimi i plotë:

Sot u bënë 22-vjet nga masakra e Krushës së Madhe, e cila përveç se dëshmi autentike e veprimit të regjimit gjenocidal të Serbisë, mbetet ende plagë e hapur për një pjesë të familjarëve të këtij fshati.

Janë shumë të pagjetur, fati i të cilëve ende mbetet peng, brengë dhe ankth jo vetëm për familjarët, por edhe për shtetin e Kosovës.

Në një aksion dyditor, regjimi serb manifestoi egërsi të paparë, duke ndarë burra e djem nga gratë e nënat e tyre dhe duke ekzektutuar 243 persona.

Dy dekada më pas, masakra e Krushës së Madhe është zëri i ndërgjegjes që thërret për drejtësi dhe zbardhje të fatit të të pagjeturve.

Duke kujtuar këtë ditë, ne sot e kuptojmë peshën dhe çmimin që paguam për lirinë e vendit!

Liria nuk ka kuptim pa adresimin e përgjegjësisë për ekzekutorët e kësaj masakre, siç nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon!

Ne nuk do ndalemi duke e thënë të vërtetën për Masakrën e Krushës, kudo dhe kurdo. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë që t’i rrijmë afër familjeve dhe t’u themi se  dhimbja e tyre është edhe e jona dhe që si institucione shtetërore nuk do zbrapsemi në përpjekjen për të kërkuar drejtësi!

I përjetshëm qoftë kujtimi për 243 të vrarët e Krushës së Madhe!/Gazeta Sinjali/