image Osmani për “kornizën e re” të dialogut: Veç sikur në letrat e Presidentit Biden, jo zgjidhje gjysmake

Politikë

Osmani për “kornizën e re” të dialogut: Veç sikur në letrat e Presidentit Biden, jo zgjidhje gjysmake

news image

Presidentja Vjosa Osmani ka folur rreth iniciativës së re të këshilltarëve të Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz të cilët kanë qëndruar për vizita në Kosovë dhe Serbi më qëllimin që ta dinamizojnë dialogun. Në Beograd është thënë se dy vizitorët kanë sjellë ide të reja për dialogun që sipas Vuçiq është një marrëveshje e shpejtë që njeh realitetin e që nuk kërkon njohjen e pavarësisë. Presidentja Osmani ka thënë se Kosova pranon vetëm zgjidhje që e ka bazë njohjen e Kosovës e jo zgjidhje gjysmake.

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se idetë ose gjysmë zgjidhjet që nuk kontribuojnë në arritjen e njohjes reciproke, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk sjellin paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën e përbashkët për media pas takimit me homologen e saj hungareze, Katalin Novak, Osmani, tha se mirëpresin përkushtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macorn për dialogun dhe paqen në rajon.

Ajo tha se vizita e dy këshilltarëve franko-gjermanë tregon qëllimin për dinamizëm të procesit të dialogut.

Duke folur për paralajmërimin për një “kornizë të re” të dialogut Kosovë-Serbi për të cilën deri më tani ka folur vetëm presidenti serb Aleksandër Vuçiq por pa dhënë shumë detaje, Osmani tha se qëndrimi i Kosovës mbetet i njëjtë se vetëm njohja reciproke është zgjidhja përpara.

“Kosova edhe një herë iu ka dëshmuar të gjithë partnerëve tanë brenda BE-së, por edhe jashtë BE-së, veçanti ShBA-së që ne jemi pala konstruktive në këtë proces, pala që gjithnjë ka vazhduar të bëjë propozime që sjellin paqe dhe stabilitet në rajon. Por çdo zgjidhje duhet të jetë për paqe dhe stabilitet afatgjatë sepse gjysmë zgjidhjet ose idetë të cilat nuk kontribuojnë drejt njohjes reciproke asnjëherë nuk mund të kontribuojnë as në paqen dhe stabilitetin afatgjatë. Andaj qëndrimi i Kosovës mbetet po ai që keni qëndruar vazhdimisht, ai që është rikonfirmuar edhe në letrat e presidentit Biden dhe deklaratat publike të kancelarit Scholz, se njohja reciproke është zgjidhja përpara, njohja reciproke sjell paqen dhe stabilitetit afatgjatë”, tha ajo.

/GazetaSinjali/