Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e pikëlluar për vdekjen e ish-kryetarit të Kuvendit, Kolë Berisha, ku përmes një postimi në Facebook, Presidentja Osmani thotë se Berisha ishte ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës dhe se tërë jetën ia ka kushtuar lirisë së vendit të tij.
Ajo shprehet se ndarja nga jeta e tij lë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike.
Postimi i plotë i saj:
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit të tij.
Sot, ai u nda nga ne, duke na lënë të pikëlluar, por edhe krenarë për veprën e tij shumëdimensionale. Mësues i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të! /GazetaSinjali/