Kandidatja e LDK-së për kryeministër Vjosa Osmani ka thënë se secila familje në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit do të vendosë nëse është për ikje apo qëndrim në Kosovë.
Sipas saj, fitorja e Lidhjes Demokratike të Kosovës është e pashmangshme, dhe se për një gjë të tillë janë të bindur edhe kundërshtarët tjerë politikë.
Para qytetarëve të Malishevës, ajo tha se kjo komunë do të bëjë histori duke bërë Ferat Rudin përfaqësues të saj, dukë theksuar se ka ardhur koha që Malisheva dhe qytetarët e saj të trajtohen me dinjitet.
“Për fitoren tonë nuk jemi të bindur vetëm ne, në fakt, por edhe kundërshtarët politikë, ata e dinë nga mbrëmë që nuk kanë ku të ikin nga fitorja jonë. Fitorja jonë është pashmangshme, është e pandalshme, ne duam të fitojmë fortë, të fitojmë aq fortë, që më askush të mos mundet të luajë me interesat e qytetarëve Kosovës. Për ne, 6 tetori është referendum që secila familje vendos. Secila nënë e këtij vendi dhe secili prind do të vendosë më 6 tetor nëse është për ikje apo për qëndrim, ne kemi vendosur që rinisë tonë t’i krijojmë kushte për të tilla që ata të krenohen me shtetin, që ata të gjejnë perspektivë, dhe të mos e shohin pasaportën dokument vetëm për ikje”, tha ajo.
Edhe një herë Osmani ka përsëritur se nuk do të ketë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Nuk ka koalicion me PDK-në, shpifni sa të doni, nuk ka koalicion me njerëz të korruptuar”, ka shtuar Osmani./Gazeta Sinjali/
.