Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takimin me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka thënë se vizita e tij është nder dhe privilegj i madh për Kosovën.
Ajo tha se kjo vizitë është e para që një president i një shteti fqinj e viziton zyrtarisht Kosovën.
Në një konferencë për media, presidentja ka folur për rreth 40 marrëveshje që janë nënshkruar në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Për herë të parë një president i një shteti fqinj e viziton Kosovën në vizitë zyrtare. Kjo vizitë jo vetëm që hap kapituj të ri të bashkëpunimit por konfirmon marrëdhëniet tashmë të shkëlqyera të Kosovës me Maqedoninë e Veriut. Kemi nënshkruar mbi 40 marrëveshje ndërkombëtare, disa memorandum ndërministrore si dhe nisma të tjera për marrëveshje të tjera që janë në proces të finalizimit”, ka thënë ajo.
Ajo ka falënderuar Pendarovskin për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave.
“Përkundër faktit që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, BE-ja ende nuk e ka përmbushur premtimin. Me këtë rast e falënderoj presidentin Pendarovski që ka qenë zë i qartë për liberalizimin e vizave për Kosovën si vend fqinj”, tha ajo./GazetaSinjali/