image Osmani: Pas më shumë se dy dekada, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi

Kosovë

Osmani: Pas më shumë se dy dekada, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi

news image

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, nëpërmjet një video mesazhi për aleatët ndërkombëtarë ka kujtuar se deri më tani askush nuk është dënuar për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës, shkruan Gazeta Sinjali.

Osmani u shpreh se paqja është arritur, por që ende nuk është zbardhur e vërteta dhe që janë të përkushtuar për drejtësi në zbardhjen e krimeve.

“Ndërsa paqja është arritur, lufta për të vërtetën po vazhdon ende. Pas më shumë se dy dekada, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi. Ende sot, kemi mijëra gra që jetojmë me stigmën e padrejtë për shkak se janë përdhunuar nga forcat serbe gjatë luftës, ndërsa asnjë person i vetëm nuk është ndjekur penalisht për këtë krim të neveritshëm.

Ende sot, kemi prindër që dëshirojnë të dinë vendndodhjen e 1600 kosovarëve të zhdukur. Ata jetojnë me shpresën se një ditë do të gjejnë drejtësi. Ata kanë të drejtë të dinë vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur. Serbia kreu dhunë sistematike të sponsorizuar nga shteti, kundër popullit tonë. Krimet e tmerrshme që ndodhën në vendin tonë rezultuan në numrin më të lartë të fëmijëve viktima për kokë banori gjatë luftërave të Jugosllavisë”, tha Osmani.

/Gazeta Sinjali/