Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris. Gjatë qëndrimit në këtë forum, e para e shtetit ka thënë se Kosova është shembulli më i mirë i një vendi, që ka përjetuar terrorin e luftës, ka qenë viktimë e gjenocidit, por ka punuar për t’u shndërruar në një partner të besueshëm.
Osmani në një postim në Facebook ka deklaruar mbi zhvillimet aktuale në Evropë, por edhe mbi sfidat, të cilat i ka përjetuar vendi ynë.
“Akomodimi i autokratëve nuk sjell asnjëherë më shumë paqe. Përkundrazi, kjo krijon më shumë hapësirë për shkatërrim e luftë si dhe inkurajon më shumë autokracinë dhe hegjemonitë”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, paqja është e mundshme dhe afatgjate atëherë kur nuk shpërblehen agresorët.
“Nuk duhet kurrë të biem në kurthin e dyanshmërisë. Nuk mund të përdorim argumentin e dyanshmërisë kur është e qartë se kush është viktima e kush agresori. Paqja është e mundshme vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat dhe ballafaqim me të kaluarën. Në të kundërt, rrezikojmë që e kaluara të përsëritet”, tha e para e shtetit.
Presidentja Osmani ka thënë se paqja dhe bashkëpunimi do të jenë të mundshme dhe të qëndrueshme vetëm kur partneritetet ndërtohen mbi bazën e vlerave të njëjta dhe duke respektuar vlerat demokratike e të drejtat e njeriut.