U.d. Presidentja Vjosa Osmani, një ditë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Knessetit, Kuvendi i Izrealit, Yariv Levin.
Siç njofton kumtesa nga zyra e Osmanit, ajo e ka falënderuar Levin për vendimin e shtetit të tij për ta njohur shtetin e Kosovës, duke shfaqur shpresën se hapja e këtij kapitulli të ri do të jetë mundësi e mirë për intensifikimin e marrëdhënieve në shumë sfera. Në këtë kontekst, marrëdhëniet me Izraelin i ka konsideruar të rëndësisë strategjike.
Osmani ka thënë se shteti i Kosovës me njohjen nga Izraeli e ka forcuar edhe më tej pozicionin ndërkombëtar, teksa ka shfaqur shpresën se veprimin e këtij shteti ta ndjekin edhe shtetet e tjera mosnjohëse.
Në cilësinë e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Osmani ka potencuar rëndësinë e fillimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, duke e pasur parasysh faktin se legjislativi kosovar tashmë ka krijuar Grupin e Miqësisë me Izraelin.
Më tej, në këtë bisedë telefonike, u.d. Osmani i ka thënë Levinit se Kosova do ta mbështes çdo iniciativë globale kundër antisemitizmit.
“Antisemitizmi nuk ka gjetur vend në Kosovë. Në këtë plan ne do të punojmë edhe me rininë kosovare lidhur me edukimin e tyre për luftën kundër antisemitizmit”, është shprehur ajo.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Izraelit, Yariv Levin, në fund të kësaj bisede telefonike e ka ftuar Osmanin për një vizitë në Izrael në një kohë të përshtatshme për të dy palët. /Gazeta Sinjali/