Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Forcës së Sigurisë së vendit ka thënë se sot i nderojmë të arriturat e ushtrisë tonë moderne.
Osmani përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se “Forca jonë e Sigurisë është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë, në kërkim të paqes, lirisë dhe drejtësisë”.
“Dita e ushtrisë sonë i paraprinë festës së 28 Nëntorit, daljes së parë të UÇK-së dhe ditëlindjes së komandantit të UÇK-së, Adem Jashari. Liria dhe Ushtria jonë, janë meritë edhe e këtyre ngjarjeve historike”, ka shkruar ajo.
Sipas presidentes Osmani, sot i nderojmë të arriturat e ushtrisë tonë moderne dhe gjithëpërfshirëse, e cila është kontribuese aktive e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, përkrah partnerëve tanë në NATO.
“Një moment i vërtetë krenarie shënimi i Ditës së Forcës bashkë me gratë dhe burrat tanë në uniformë”, ka përfunduar Osmani.