image Osmani nga Praga: Modelet si Republika Srpska më shumë krijojnë probleme se qetësi, Kushtetuta është Alfa dhe Omega jonë

Politikë

Osmani nga Praga: Modelet si Republika Srpska më shumë krijojnë probleme se qetësi, Kushtetuta është Alfa dhe Omega jonë

news image

Në konferencën për media nga samiti i liderëve të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Pragë të Çekisë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se një model i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që ngjan me Republikën Srpska në Bosnjë, nuk duhet të realizohet në Kosovë.

Osmani i është përgjigjur kërkesave të shtuara të faktorit perëndimor në drejtim të Qeverisë së Kosovës, për të dhënë një propozim se si të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Shefja e shtetit ka thënë se Kosova, modalitet të vetëm e ka vetëm Kushtetutën.

“Modalitet për ne është Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Është Alfa dhe Omega e çdo veprimi tonë. Është vendimi i Gjykatës Kushtetuese ai i cili e trason rrugën përpara dhe që përcakton se mekanizma të tillë nuk mund të jenë as një etnik as të kenë kompetenca ekzekutive dhe të krijonte një shtresë të ndërmjetme të qeverisjes”, ka thënë ajo nga Praga.

Presidentja ka thënë se përfaqësuesit e institucioneve të vendit, në vazhdimësi e shpjegojnë para ndërkombëtarëve se modelet si ai i Republikës Srpska, më shumë krijojnë probleme se qetësi.

“Ne vazhdimisht e shpjegojmë para partnerëve tanë se sa me rëndësi është të mos shkojmë përtej kësaj, që të kemi një Republika Srpska apo modele të ngjashme, që nuk kanë funksionuar dhe nuk funksionojnë, sepse më shumë krijojnë probleme, se qetësi, paqe e stabilitet”, ka thënë tutje ajo.

Osmani ka thënë se përveç asaj politike, Kosova ka edhe një betejë me Serbinë, që lidhet me sundimin e ligjit.

“Jemi që të gjitha pakicat në Kosovë të realizojnë të drejtat e tyre, të garantuara. Sfida e sotme në raport me komunitetin serb, nuk është se shqiptarët po krijojnë probleme, por janë bandat kriminale në veri që paguhen, nxiten dhe mbështeten nga Vuçiqi. Përballja jonë me Serbinë, nuk është vetëm politike, por përballje edhe për sundimin e ligjit. Nuk do të dorëzohemi para bandave”, ka thënë ajo.

/GazetaSinjali/