image Osmani nga Estonia: Nuk e pranojmë ndryshimin e kufijve e as Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

Politikë

Osmani nga Estonia: Nuk e pranojmë ndryshimin e kufijve e as Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar në shtetin e Estonisë për vizitë dhe është takuar me Presidenten e këtij shteti, Kersti Kaljulaid, raporton Sinjali.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falenderuar shtetin e Estonisë për njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme në procesin e shtetndërtimit.

Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi ku edhe ka bërë të qartë se Qeveria e Kosovës nuk do të heq dorë nga parimet për mbrojtjen e shtetësisë. 

Osmani ka deklaruar se ata nuk do të pranojnë ndryshimin e kufijve dhe as nuk do të pranojnë themelimin e një asoacioni njëetnik, të cilin e kërkon Qeveria e Serbisë. Ajo ka thënë se prioritet në këtë dialog është fati i të pagjeturve.

“E para Kosova nuk mund të diskutojë për statusin final sepse ajo e ka shpallur Pavarësinë në vitin 2008 dhe është legjitimuar nga Gjykata Ndërkombëtare. Lëvizja e kufijve pastaj është një çështje tjetër të cilin nuk do e pranojë Kosova në asnjë mënyrë. Poashtu edhe modeli tjetër i Republikës Srpska ne duam që të mbrojmë Kosovën dhe rregullimin tonë të brendshëm.  Këto koncesione i kemi bërë me planin e Atisarit. Gjetja e të zhdukurve dhe rreth 2 mijë familje dhe Serbia duhet të tregojë ku janë më të dashurit tanë” ka thënë ajo.

Kurse Presidentja e Estonisë, Kersti Kaljulaid, ka inkurajuar Bashkimin Evropian që të punojë sa më shumë me vendet të cilat aplikojnë sistemin demokratik, ngase pa mbështetjen e BE-së është e vështirë të ketë zhvillime pozitive në këtë drejtim. /GazetaSinjali/