image Osmani në takim me senatorët amerikanë: Kontinenti ynë në rrezik nga Rusia dhe Serbia

Politikë

Osmani në takim me senatorët amerikanë: Kontinenti ynë në rrezik nga Rusia dhe Serbia

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka thënë sot senatorëve amerikanë se kontinenti evropian është nën kërcënim të destabilizimit nga Rusia.

Në një konferencë të përbashkët me senatoren Jean Shaheen, Osmani deklaroi se senatorët i ka informuar edhe për siç tha ajo, rolin destruktiv të Serbisë në rajon.

“Nuk është sekret që rendi I sigurisë brenda kontinentit evropian është nën kërcënim. Ka pasur dhe vazhdon të ketë një interesim serioz nga Rusia që ta destabilizojë kontinentin dhe rajonin tonë. I informova mysafirët tanë nga Senati i SHBA-së po ashtu për rolin destruktiv që Serbia po vazhdon ta luajë në rajonin tonë si aleat i Rusisë, si një përpjekje për ta tërhequr rajonin tonë drejt së kaluarës”, deklaroi ajo.

Por, Osmani pohoi se beson që këto ndikime do të ndalen nga populli i Kosovës.

Kam besimin e plotë se ne bashkërisht do të jemi në gjendjen që të ndalojmë këto ndikime malinje për dy arsye kryesore,. E para sepse ky është vullnet i popullit të Kosovës, si populli më pro amerikan dhe pro-NATO në botë. E dyta kam besim të plotë se kemi treguar deri më tani se kur punojmë së bashku me SHBA-të mund të arrijmë gjithçka”, tha më tutje Osmani.

Presidentja tha do të punojnë edhe më tutje për ta forcuar demokracinë, teksa shtoi se Kosova është një ndër storiet më të mëdha të suksesit për ShBA-të.

“Jemi me fat që kemi pasur dhe që vazhdojmë të kemi mbështetjen e secilës administratë amerikane për dekada me radhë. Kosova është ndër storiet më të mëdha të suksesit të politikës së jashtme të amerikane dhe përkushtimi ynë për të forcuar demokracinë tonë krahas partnerëve ndërkombëtare është kyç për të nderuar mbështetjen që e kemi marrë historikisht nga ShBA-të”, deklaroi Osmani.

/GazetaSinjali