image Osmani në protestën kundër luftës në Ukrainë, Putinin e quan diktator dhe kriminel lufte

Politikë

Osmani në protestën kundër luftës në Ukrainë, Putinin e quan diktator dhe kriminel lufte

news image

Presidentja Vjosa Osmani u është bashkuar qytetarëve të cilët u mblodhën në kryeqytet për t’u solidarizuar me popullin e Ukrainës dhe për të protestuar kundër agresionit rus ndaj popullatës ukrainase.

Në fjalën e saj para mediave, Osmani e quajti presidentin rus, Vladimir Putinin “diktator dhe kriminel lufte”.

“Natyrisht që ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës në këto momente na rikthen kujtimet e plagëve të rënda që janë shkaktuar mbi secilin qytetar të Kosovës gjatë viteve të 90-ta nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Prandaj edhe jemi bashkuar botës demokratike jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën por edhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet qe po i kryen krimineli i luftës, diktatori Putin”, tha Osmani.

Ajo tha që është e bindur se do të triumfojë liria dhe demokracia.

“Institucionet tona kanë treguar gatishmëri që të gjitha ato kapacitete që i kemi dhe që kanë ndërtuar në ndërkohë për pritjen e refugjatëve nga Ukraina t’i shfrytëzojmë. Kosova ka treguar gatishmëri për t’i dhënë mbështetje dhe mikpritje edhe gazetarëve nga Ukraina në mënyrë që ata jo vetëm të vendosen në Kosovë por edhe të vazhdojnë ta kryejnë punën e tyre nga një vend të sigurt”, tha Osmani. /GazetaSinjali/