image Osmani në Mynih shpreh shqetësimin për ndikimin rus në Ballkan

Politikë

Osmani në Mynih shpreh shqetësimin për ndikimin rus në Ballkan

news image

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka diskutuar si paneliste në kuadër të Konferencës për Siguri në Mynih. Ajo theksoi disa nga sfidat dhe angazhimet për demokraci në Evropë.

Përveç Presidentes Osmani, në këtë panel kanë diskutuar edhe Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas dhe liderja e opozitës në Bjellorusi Sviatlana Tsikhanouskaya.

Presidentja Osmani foli për rëndësinë e demokracisë nga perspektiva e vendit, i cili ka sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë dhe pavarësinë.

Në diskutimin e saj, Presidentja Osmani foli për shqetësimin rreth zhvillimeve në rajon, ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe tendencat destabilizuese që vijnë nga aleati i Rusisë, Serbia.

Tutje, presidentja Osmani ka theksuar se demokracia është një shtyllë kyçe në përpjekjet shtetndërtuese të Republikës së Kosovës, sikurse edhe shtyllë qendrore e zhvillimit të shoqërisë në vendin tonë.

Ajo po ashtu foli edhe për sfidat me të cilat përballen shoqëritë demokratike, si dhe mënyrat se si mund të tejkalohen ato.

Presidentja Osmani tha se suksesi i përbashkët arrihet nëpërmjet garantimit të të drejtave të njeriut, kundërshtimit të pushteteve autoritare nëpër botë dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet popujve demokratik. Ajo përmendi edhe Samitin për Demokraci dhe zotimet e Republikës së Kosovës në këtë Samit, të cilat do ta avancojnë edhe më tej demokracinë në vend.

/GazetaSinjali/