image Osmani në 31 vjetorin e grevës: Trepça e paprekshme

Kosovë

Deklaratë/ Osmani në 31 vjetorin e grevës: Trepça e paprekshme

news image

Kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë sot në aktivitetin e shënimit të 31-vjetorit të grevës së Stan Tërgut.

Grevën e minatorëve, Osmani e ka cilësuar rezistencë të dyfishtë.

“Në kontekstin historik, greva e minatorëve të Trepçës mund të trajtohet në dy rrafshe, si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia dhe, së dyti, si rezistencë  ndaj suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, greva shërbeu për sensibilizim qytetar dhe me angazhimin e tyre vetëmohues, minatorët i lëkundën themelet e Jugosllavisë së atëhershme, thuhet në njoftimin për media.

“Marshi i organizuar nga minatorët nga Mitrovica në Prishtinë, ishte dëshmi e qartë se si minatorët arritën ta krijonin solidaritetin dhe aktivizmin qytetar në Kosovë”, ka theksuar Osmani.

Kryetarja e Kuvendit ka thënë se minatorët e Trepçës e donin Republikën, prandaj e ngritën fuqishëm zërin ndaj okupuesit dhe kundër ndryshimeve kushtetuese te asaj kohe.

“Ngjashëm edhe sot, minatorët dëshirojnë mbrojtjen e pavarësisë se Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin e vendit dhe dinjitetin qytetar. Falë kësaj sakrifice dhe vlerave të cilat na udhëhoqën e që përkrah nesh i rreshtuan shtetet demokratike të botës, kjo ëndërr është realizuar dhe pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Trepça është e paprekshme”, ka thënë Osmani.

Greva e Stantërgut është grevë historike e cila rikujton 20 shkurtin e vitit 1989, ku minatorët u ngujuan në minierë, në shenjë revolte ndaj regjimit të asaj kohe.

Para 31 vjetëve minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë për të mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu zhbërjen e Jugosllavisë.

Ishin rreth 1 mijë e 300 minatorë që kishin hyrë në këtë grevë për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës dhe autonominë e saj./GazetaSinjali/