Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ishte e pranishme në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Osmani tha se do të jenë gjithmonë falënderues për kontributin e Albright në dhënien fund të gjenocidit serb në Kosovë.
“Sot, në Uashington D.C., i dhamë lamtumirën e fundit mikes së madhe të Kosovës, gardianes së lirisë e demokracisë dhe zërit të fuqishëm të popullit tonë, Madeleine Albright. Jemi përgjithmonë falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, si dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme për Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar e me vendin e merituar në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo tha se do të vazhdohet përpjekja e ish-sekretares, për mbrojtjen e demokracisë dhe se kujtimi për të do të jetë i përjetshëm.
“Sekretarja Albright e njohu dhimbjen e popullit tonë, e ne do ta vazhdojmë përpjekjen e saj, për ta avancuar dhe për ta mbrojtur demokracinë! Miqësinë me Amerikën e kemi të përjetshme, siç do ta kemi kujtimin për sekretaren Albright”.