image Osmani: Me qeverisjen time do të marr fund haraçi i politikës në biznes

Kosovë

Fushatë/ Osmani: Me qeverisjen time do të marr fund haraçi i politikës në biznes

news image

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se programi ekonomik në qeverisjen e ardhshme do të nis në masë të madhe me politikat ekonomike aty ku është lënë në vitin 2017, pasi siç tha, në atë qeverisje janë ndërmarrë politikat më të fuqishme ekonomike që ka njohur historia që nga viti 1999.

Duke shpalosur programin e LDK-së për zhvillimin ekonomik në Konventën për zhvillim dhe punësim, Osmani tha se kjo parti është e pa konkurrencë në këtë drejtim, me një ekip të jashtëzakonshëm.

“Disa nga elementet që përfshinë programi ynë ekonomik është se qeverisja e LDK-së do ta shndërrojë Kosovën në një destinacion të investimeve të huaja strategjike. Do të bëhet eliminimi i të gjitha monopoleve dhe privilegjeve të firmave, të cilat kanë lidhje me politikën, dhe ky do të jetë prioritet për të krijuar një mjedis konkurrues që ofron shanse, mundësi të barabarta për të gjithë. Rritja ekonomike do të gjenerohet nëpërmjet sektorit privat të cilin e konsiderojmë si motor të zhvillimit ekonomik në vendin tonë. Ëndrra e punësimit për të rinjtë nuk do të jetë më sektori publik, por sektori privat i zhvilluar dhe i qëndrueshëm”, tha Osmani.

Osmani tha se  me qeverisjen e saj do të marr fund hisja e politikës në biznese.

 “Nëpërmjet qeverisë të përgjegjshme dhe me duar të pastra ne synojmë që të kthejmë edhe besimin tek institucionet. Suksesi i firmave nuk do të përcaktohet nga lidhjet me qeveritarët, por nga kriteret e mirëfillta të tregut. Një herë e përgjithmonë lidhjet me qeverinë nuk do të jenë përcaktuese për profit të firmave siç po ndodh sot e aq më pak lidhjet me krimin. Kurrë nuk do të ndodhë më që politikanët të kërkojnë hise nga bizneset dhe investitorët potencial të huaj dhe vendor siç ka ndodhur tani”, theksoi Osmani.

Ajo premtoi se gjatë qeverisjes së saj, ndërmarrësit vendorë do të kenë statusin e merituar në shoqëri si kusht për të bërë kthesën e madhe për ngritjen e optimizmit për investime. Po ashtu, tha se do të krijohet edhe një fond investiv në vlerë 300 milionë euro  dhe se të rinjtë do të kenë mundësi që pas shkollimit të bëjnë punë praktike me pagesë. /Gazeta Sinjali/