image Osmani me ftesë të homologut Radev, në vizitë zyrtare në Bullgari

Politikë

Osmani me ftesë të homologut Radev, në vizitë zyrtare në Bullgari

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë dy ditore zyrtare në Bullgari, me ftesë të homologut të saj, Rumen Radev, nga i cili do të pritet me nderime të larta ushtarake.

Në njoftimin e Presidencës, Osmani pas takimit me Radev, do ta zhvillojë edhe një takim bilateral, dhe më pas do ta kenë një konferencë të përbashkët për media.

Delegacioni i kryesuar nga Osmani do të marrë pjesë edhe në darkën zyrtare presidenciale të shtruar nga Radev. Gjatë vizitës në Bullgari, presidentja do të takohet, gjithashtu edhe me kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Vezhdi Romanov.

Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga kryetarja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova, presidentes do t`i dhurohet Çelësi i Sofjes.

“Në agjendën e vizitës së presidentes në Bullgari është edhe ndarja e Medaljes Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Bullgarisë për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR) në Kosovë. Në ceremoni do të jetë i pranishëm edhe presidenti Radev, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Dimitar Stoyanov dhe komandanti i Forcave të Përbashkëta të Armatosura të Bullgarisë, Valeri Tsolov.

Kurse në Universitetin “Shën Kliment Ohridski”, Osmani do të nderohet me mirënjohje, teksa para stafit akademik, diplomatëve të akredituar dhe studentëve do ta mbajë një diskutim, në të cilin do të flasë për paqen dhe prosperitetin nëpërmjet integrimit euroatlantik në Evropën Juglindore”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, presidentja Osmani departamentit të gjuhëve të përgjithshme, indoevropiane e ballkanike të këtij Universiteti, do t`ia dhurojë një mirënjohje për kontributin e çmuar për studimin, zhvillimin dhe kultivimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe.

Ndër të tjera, Osmani, gjatë vizitës në Bullgari do ta ketë një takim edhe me mërgatën shqiptare që jeton e vepron në këtë shtet.

/GazetaSinjali/