image Osmani: Lajçak nuk është president i Kosovës, ai mban kapelën e neutralit

Politikë

Osmani: Lajçak nuk është president i Kosovës, ai mban kapelën e neutralit

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk është President i Kosovës, prandaj, sipas saj, qëndrimet e ndryshme mes tyre mund të jenë normale.

Ajo ka folur për deklaratat e fundit të Lajçak dhe raportueses për Kosovën në PE, Viola von Cramon lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe, të cilët përmes deklarimeve publike, kanë dhënë indikacione se do të themelohet dhe zbatohet në Kosovë, sipas marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Osmani ka thënë se Lajçak mban qëndrim neutral, një kapelë të cilën, ka thënë ajo, ia ka dhënë BE-ja.

“Emisari Lajçak nuk është president i Kosovës. Detyra e tij është të mbrojë qëndrimin e tij dhe siç e dini BE-ja është neutrale. Qëndrimi i zotit Lajçak… natyrisht është neutral. Pak a shumë BE-ja atë kapelë ia ka dhënë”, ka thënë ajo në një intervistë për KTV-në.

“Presidentja e Kosovës i mbron interesat e Kosovës. Mos prisni që të kemi qëndrime krejt identike”, ka shtuar ajo.

Osmani ka thënë se udhërrëfyes i saj dhe qeverisë së Kosovës është Kushtetuta e Kosovës.

“Është krejt normale që një politikan i përgjegjshëm në Kosovë t’i respektojë vendimet e Kushtetueses për marrëveshjet në Bruksel, si ky i vitit 2015. Nuk mund të shkojmë përtej atij vlerësimi të Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk e di për çka e ka fjalën Viola von Cramon.. e di që ka ide të ndryshme të cilat zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë i diskutojnë mes vete. Zyrtarët tanë, edhe unë edhe qeveria, jo që vetëm diskutojmë por edhe dakordohemi. Ne kemi vetëm një udhërrëfyes, e ai është vetëm Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

/GazetaSinjali/