image Osmani kujton zgjedhjet e 6 tetorit: Vullneti qytetar është përdhosur

Kosovë

Osmani kujton zgjedhjet e 6 tetorit: Vullneti qytetar është përdhosur

news image

Sot janë bërë një vit që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019, transmeton Gazeta Sinjali.

Vjosa Osmani, kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar zgjedhjet e 6 tetorit,  duke thënë se Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit.

“Qytetarët e saj treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve. Me votën e tyre ata e thanë zëshëm dëshirën e tyre për shtet të së drejtës e për jetë të dinjitetshme.”

Kryetarja e Kuvendit shkroi se vullneti i qytetarëve të Kosovës pas një viti është përdhosur.

“Sot, një vit më pas, ky vullnet qytetar është përdhosur, ndërsa vota e tyre është tjetërsuar. Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar”, shkroi kryeparlamentarja.

Kurse më tutje, Osmani shprehet e zhgënjyer por e lumtur që do të vazhdojë të qëndrojë në krahun e bashkëqytetarëve të saj.

“Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar. Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë. Tek e fundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë”, përfundoi Osmani. /Gazeta Sinjali/