Në fjalimin vjetor para deputetëve Presidentja Vjosa Osmani, ka folur edhe për diplomacinë kosovare e cila tha se përfundimisht vendi asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive, më kuptimplote, më të përgatitur e më të koordinuar.
“Natyrisht që, kjo politikë e jashtme e fokusuar në interesin e Kosovës dhe vetëm të Kosovës, e jo të interesave të ngushta individuale e shpeshherë të paligjshme, po u pengon disave, jo vetëm në Serbi por edhe jashtë saj”, tha Osmani.
Presidenti theksoi se se janë disa zëra që thonë se Kosova nuk ka politikë të jashtme, por sipas saj natyrisht që Kosova ka politikë të jashtme. Në fakt, më në fund, Kosova ka politikë të jashtme.
“Por, po ju tregoj se çfarë nuk ka Kosova tani: Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime as me Serbinë e as me Rusinë me qëllim të interesave individuale, nuk ka udhëheqës që Kosovën e krahasojnë me Nagorno Karabakh e me Abkhazi e me Krime”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë.
Sipas saj, sfidat e politikës së jashtme janë të panumërta, sepse gabimet kanë qenë të përmasave të mëdha.
“Tani ne duhet të riparojmë këto dëme, hap pas hapi, me durim e vizion të qartë. Prandaj, së bashku po ndërtojmë një Kosovë partnere të denjë për nisma politike e për misione paqeruajtëse; e cila ndërvepron me vendet demokratike në fushën e politikës së jashtme e me vendet anëtare të NATO-s në çështjet e sigurisë globale”, tha Osmani.
Presidentja shtoi se tash Kosova është shndërruar në faktor të besueshëm në nismat globale; merr pjesë aktivisht në to dhe e bën të dukshme Kosovën gjithandej. Madje, në nisma si Samiti për Demokraci i SHBA-ve, Kosova është ndër performueset më të suksesshme dhe kampione në përmbushjen e zotimeve të marra”, theksoi Presidentja Osmani.
Sipas Osmanit, përfundimisht, politika e jashtme e Kosovës sot është në shërbim të plotë e funksion të forcimit të shtetësisë në arenën ndërkombëtare dhe konsolidim të Kosovës si faktor kyç i stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë e përtej.