image Osmani kërkon që vetura në të cilën u sulmua Rugova të bëhet muze

Kosovë

Sociale/ Osmani kërkon që vetura në të cilën u sulmua Rugova të bëhet muze

news image

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në prag të 24 majit Ditës së Presidentit, ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova

Osmani sot ka vizituar edhe varrin e presidentit të ndjerë, duke kujtuar edhe sulmin që iu bë 16 vjet më parë.

“U përkulëm para varrit të Presidentit historik, me kujtesën e freskët për njeriun, i cili na mësoi se këmbëngultësia në parime, sado e vështirë, është rruga e vetme për ta realizuar ëndrrën për shtet që i bën të dinjitetshëm qytetarët e vet dhe ua garanton atyre liritë qytetare; se ëndrra për t’i shërbyer me dinjitet vendit është më e madhe se moskuptimi, sharjet e sulmet nga ata që s’mund ta kuptojnë vizionin tuaj, madje edhe kur sulmoheni me bomba, sikur i ndodhi presidentit tonë, 16 vjet më parë”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.

Më tej, kryeparlamentarja Osmani ka thënë se do t’u propozojë institucioneve që vetura në të cilën u sulmua Rugova të bëhet veturë muze.

“Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, do t’u propozoj institucioneve përgjegjëse që këtë veturë, e cila është pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ta marrin nën mbrojtje. Atë veturë nuk guxon ta mbulojë pluhuri i harresës. Ajo është dëshmi se duhet ta ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive. Është dëshmi se Presidenti nuk thyente parimet as kur përballej me bombat. Prandaj, ajo veturë duhet të jetë në muze, qoftë në Muzeun Kombëtar, qoftë në atë të Pavarësisë, sepse, sikur e gjithë veprimtaria e dr. Rugovës, ajo është dëshmi se vizioni për shtetin e pavarur, i prirë nga dashuria për vendin, është i pathyeshëm; se këmbëngulja për ta ndërtuar vendin është më e madhe se cilado pengesë dhe se kujtesa për lëvizjen për pavarësi është kujtesë për qenien tonë”, ka shkruar ndër të tjera ajo./GazetaSinjali/

https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/1687890591373198